Lajme

Sejdiu: Qeveria do duhej t’i informonte qytetarët e veriut për skadimin e marrëveshjes për targat

Njohësi i çështjeve politike, Dardan Sejdiu

Njohësi i çështjeve politike në vend, Dardan Sejdiu, thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej t’i kishte informuar banorët serbë paraprakisht përmes një njoftimi rreth skadimit të marrëveshjes për targat, transmeton Shqip.com.

Kështu është shprehur ai teksa situatën e krijuar pas reciprocitetit të targave e ka vlerësuar si një zbatim të një marrëveshjeje.

“Kjo është thjeshtë zbatim i një marrëveshjeje, dhe nuk kemi një hap të theksuar politik viza-vi, idesë së projektuar të reciprocitetit. Pra, karshi idesë që është projektuar për reciprocitet dhe asaj çfarë po ndodhë jemi në kuadër të diskutimeve të marrëveshjeve të Brukselit”, ka thënë ai në “Rubikon” të Klan Kosovës.

“Mua më brengos shumë, krijimi i animoziteteve me popullatën serbe në Kosovë. Kjo është një situatë për mua, e cila ndonëse nuk i di detajet, ku qytetarët në veri, kanë qenë të gjetur në huti”, është shprehur ai.

“Në një situatë ku ti kërkon integrimin e minoritetit serb në të gjithë territorin e republikës, është e domosdoshme që me një proces të informimit të mirë, ‘ka kaluar marrëveshja e targave të përkohshme, ka kaluar koha e marrëveshjes ku lejohet me KS të lëvizet në Kosovë’, informon dhe procesi të jetë më i lehtë”.

“Nuk e di si vepron zinxhiri komandues në veri, i Policisë së Kosovës, kur të tërhiqen forcat speciale prej atje”, ka theksuar Sejdiu.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. /Shqip.com