Sport Shqiptar

SC Gjilani u rikthehet stërvitjeve, ekipit i bashkohet edhe trajneri Zekirija Ramadani

SC Gjilani i ka lënë prapa problemet e shumta financiare, duke iu rikthyer sot përgatitjeve për stinorin pranveror, shkruan Shqip.com.

Pas shlyerjes së borxheve, trajneri Zekirija Ramadani është rikthyer në skuadër dhe e ka udhëhequr stërvitjen e parë të vitit te “kuqebardhët”.

Faqja zyrtare e klubit gjilanas ka shpërndarë edhe pamjet e stërvitjes së sotme ku shihen gjithë futbollistët, përveç portierit Enea Koliçit dhe Cales të cilët mësohet se do t’i bashkohen ditëve në vijim.

“Rikthimi në punë” – ka shkruar SC Gjilani në faqen zyrtare në Facebook.

Presidenti i klubit Florim Zuka raportohet se ka shlyer borxhet disa mujore për t’iu rikthyer normalitetit te skuadra.

Shumë nga futbollistët u raportua gjithashtu se kanë kërkuar largimin nga klubi.

Gjilani përkundër problemeve që e përcollën në vjeshtë, mbylli stinorin në pozitën e katërt me 27 pikë, njëjtë sa Prishtina që është një vend më lart.

/Shqip.com