Sport Shqiptar

SC Gjilani dhe KF Dukagjini mësojnë kundërshtarët për raundin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës

Gjilani dhe Dukagjini, të cilët përfunduan në pozitën tre dhe pesë në Superligën e Kosovës i kanë mësuar tashmë kundërshtarët e tyre për raundin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Sot (e martë), me fillim nga ora 15:00 është hedhur shorti në Nyon të Zvicrës, për raundet e para kualifikuese në garat evropiane.

Kundërshtarët i mësuan edhe Gjilani dhe Dukagjini, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Gjilani do të ndeshet me Progres Niederkorn të Luksemburgut, ndërsa Dukagjini do përballet me Europa FC të Gjibraltarit.

Ndeshjet e raundit të parë kualifikues me dy ndeshje në Ligën e Konferencës do të zhvillohen më 13 dhe 20 korrik.

Në anën tjetër, Drita pritet ta mësoj nesër kundërshtarin, pasi i fillon garat nga raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës.

/Shqip.com