SBASHKU: Qeveria nuk do zgjidhje të kërkesave, prandaj greva vazhdon

Sindikata e Bashkuara e Arsimit ka bërë të ditur se Greva në procesin mësimorë do të vazhdojë.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
“Me muaj të tërë Qeveria i ka ikur dialogut me sindikatat dhe nuk është angazhuar fare për zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik. Kjo qasje e gabuar ka sjell edhe deri të greva e përgjithshme që po vazhdon që nga 25 gushti dhe me këtë qasje të Qeverisë nuk dihet edhe sa do të zgjas”, thuhet fillimisht në njoftim.

Nga SBASHK-u thonë se Nagavci e Murati disa herë gjatë takimit kanë kërkuar që të ndërpritet menjëherë greva në arsim.
“Debatet e kulturuara e gjithë këto lutje në fillim të takimit sikur i trimëruan Muratin e Nagavcin, që kushtëzonin pa të drejt se pa as edhe një takim dhe pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva” thonë nga SBASHK-u.
Tani e tutje përfaqësuesit legjitim të BSPK-së, pra Këshilli Grevist do të shkoj në takime, por vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve. Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më, thuhet më tutje në reagimin e SBASHK-ut.
Gjatë ditës së djeshme, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në një takim përfaqësuesit e SBASHK-ut./Shqip.com