Lajme

SBASHK-u: Përkundër presioneve greva nuk do të ndërpritet

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Këshilli Qendror i Grevistëve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka apeluar tek prindërit që patën presion ndaj grevistëve që ta thyejnë grevën, presionin ta orientojnë nga Qeveria.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u ka njoftuar se përkundër presioneve greva nuk do të ndërpritet.

“Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Sipas SBASHK-ut, presionet janë të vazhdueshme e sidomos ndaj kryetarit Rrahman Jasharajt.

“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën”.

Tutje, Këshilli i grevistëve të SBASHK-ut ka njoftuar se dezinformata të cilat kanë qëllim përçarjen e anëtarësisë se tyre do të paraqiten para drejtësisë.

“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë sonë. Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë”.

Megjithatë, SBASHK-u ka apeluar tek organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është kanosur Rrahman Jasharaj nga një person në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, gjatë takimit të kësaj sindikate me mësimdhënësit.

Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetim ndaj personit të dyshuar si dhe i njëjti është arrestuar e më pas është dërguar në mbajtje.

Sindikatat në Kosovë janë në grevë të përgjithshme që nga data 25 gusht./Shqip.com