Lajme

SBAShK-u dhe AAK-ja takohen për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën ka takuar përfaqësues të sindikatave me qëllim që të marrë qëndrimet e tyre se i përket Ligjit të Pagave.

Deputetët e kësaj partie, të kryesuar nga Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri dhe deputeti Bekë Berisha gjatë ditës kanë paralajmëruar takime me sindikatat në Kosovë, e fillimisht vizituan Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Pas takimit Tahiri tha se ka mungesë të madhe të transparencës sa i përket vlerës së koeficientit. Ai ka bërë thirrje që të ndalet lufta ndaj sindikatave.

“Qëllimi i takimit është të dihet qëndrimi i kësaj sindikate që prek ky ligj dhe të dëgjojmë çështjet kryesore. Ka një mungesë të madhe të transparencës që lidhet me vlerën e koeficientit. Gjendjen e bënë më të keqe që në buxhetin që kemi pranuar nuk ekziston buxhetimi i Ligjit të Pagave”, tha Tahiri.

Sipas tij buxhetimi i ligjit të pagave do duhej të ishte pjesë e projektligjit të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

“Ajo çka po shohim është se sa brengosës është ligji për buxhet. Është dëshpëruese të shihet që në Ligjin për buxhet të mos ekzistojë buxhetimi i ligjit të pagave”, tha Tahiri.

Kurse kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, e ka lutur Tahirin që të jenë zëri i kërkesave të tyre, ngase thotë se ka tendencë që zëri i tyre të shtypet. Ai tha se pret që në janar Ligji për Pagat të shkojë në Kuvendin e Kosovës.

“Lus zotëri Besnikin të jetë zëri ynë kudo. Në mars kemi dorëzuar versionin por brengë mbetet mashtrimi i radhës që nuk përcaktohet koeficienti. Deputetët duhet të jenë zë i sindikatave. Është tendencë të shtypet zëri sindikal”, ka thënë pas takimit Jasharaj.

Ndërsa sa i përket zëvendësimit të orëve të humbura, Jasharaj thekson se kanë pritur ftesë nga ministrja Nagavci për një takim.

“Zonja Nagavci është dashur të na thërras që të shohim çka po bëjm me orët e humbura e jo të sjellë vendime. Uroj që Parlamenti të nxisë debatin dhe janari të na sjellë ligjin. Kërkesat janë të njëjta, por zonja Nagavci kishte deklaruar që versioni i SBAShK-ut është më i ulët. Janë të njëjtat kërkesa sepse në sektorin  e arsimit koeficientët lëvizin. Uroj që janari të na gjejë me Ligjin për Paga”, tha Jasharaj.

/Shqip.com