Lajme

SBASHK: Shtatzënat dhe të sëmurët, të lirohen nga procesi mësimor

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kërkuar nga institucionet kompetente që gratë shtatzëna që punojnë në arsim dhe të tjerët që kanë sëmundje të rënda, duhet të lirohen nga paraqitja fizike në procesin e mësimit dhe duhet të vazhdojnë të marrin paga të plota, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në takimin online që u zhvillua sot me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit.

Jasharaj tha se prekja e mësimdhënësve nga COVID-19 mund të ketë pasoja fatale për ta, derisa shtoi se 90 përqind e punëtorëve arsimorë janë vaksinuar.

“Duhet zgjidhje konkrete për punëtoret shtatzëna në arsim, nëse vazhdon të mbetet në fuqi vendimi që ato të lirohen nga obligimi për paraqitje fizike në punë dhe e punëtorëve arsimor me sëmundje të rënda, të cilët duhet të vazhdojnë të marrin paga të plota, por të lirohen nga procesi mësimor sepse sëmundja nuk i lë të jenë në nivel të detyrës dhe se prekja me COVID për ta do të ketë pasoja fatale. Angazhimi për ta obligim moral e njerëzor i institucioneve ndaj tyre”, ka thënë ai.

“Në takimin nga larg të organizuar nga MASHTI me drejtorët e Drejtorive arsimore, me përfaqësues të SBASHK-ut e të prindërve është debatuar lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Ministrja Nagavci dhe drejtorët kanë deklaruar se janë bërë përgatitjet e mundshme për fillimin e vitit të ri shkollor më 13 shtator”, shtoi më tej Jasharaj. /Shqip.com