Lajme

SBASHK: S’duhet shtyrë mësimin më – do të hasim në probleme shtesë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se bashkë me Ministrinë e Arsimit kanë bërë përgatitjet e duhura, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai duke shtuar se nuk duhet të ketë shtyrje të tjera të mbarëvajtjes së procesit mësimor për shkak të problemeve që mund të paraqiten me zëvendësimin e orëve mësimore.

“MASHTI bashkë me Drejtoritë Arsimore kanë deklaruar vazhdimisht edhe në takimet e përbashkëta se kanë bërë gjithë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe urojmë të jetë ashtu” deklaroi Jasharaj për ‘Telegrafin’.

“SBASHK mendon se shtyrje të tjera të vitit të ri shkollor, pavarësisht situatës me COVID, nuk duhet të ketë sepse do të krijohen probleme shtesë dhe do të ketë problem edhe lidhur me zëvendësimin e ditëve të humbura për arsye të dy shtyrjeve të vitit të ri shkollor”, tha ai.

Mirëpo edhe nëse institucionet gjegjëse vendosin që të ketë sërish shtyrje për fillimin e vitit të ri shkollor, Jasharaj tregoi se kanë sugjeruar që mësimdhënësit të shkojnë në shkolla dhe të kyçen në platformat përkatëse për shkak të korrektësisë.

“Ne kemi kërkuara nga MASHTI që të krijohen kushtet që nëse duhet të nisim me mësimin nga larg, mësimdhënësit të shkojnë në shkollë dhe nga atje të kyçën përmes platformës gjegjëse sepse kështu drejtori i shkollës dhe përgjegjësit tjerë do ta kenë shumë më lehtë për të përcjellë rrjedhën e mësimit dhe për t’u bindur se gjithë mësimdhënësit janë të kyçur në procesin mësimor nga larg”, u shpreh Jasharaj. /Shqip.com