Lajme

Sara Mila: Nuk e përjashtoj mundësinë për të kandiduar për kryebashkiake të Elbasanit

Deputetja e PS, Sara Mila shuan zërat për një përplasje në korridoret e PS mes Belinda Ballukut dhe Elisa Spiropalit, më këtë të fundit që nuk mori pjesë në seancën ku u votua për imunitetin e ish-numrit 2 të qeverisë.

E ftuar në Albania NewsCast me gazetarin Arbër Hitaj, deputetja Mila thotë se nuk beson se mes tyre ka një debat, duke theksuar se secila ka pasur rrugëtimin e saj brenda partisë.

Kam evituar të jap përgjigje për këtë dinamikën që flitet. Jam bërë pjesë e PS shumë më vonë se koleget që ju referuat. Në këtë sens do ishte e tepërt të kisha një gjykim ose mendim për një historik, për të dyja koleget që kanë në PS. Kjo më bën të strukem. Nuk mendoj se ka një debat, secila ka pasur rrugën e vet brenda PS, ka pasur konfirmimet që i janë dhënë nga kryesia dhe nga vota, janë të dyja kolege që janë provuar si në fushata dhe funksione shumë të larta publike. Për rezultatet që kanë dhënë edhe kanë marrë mbrapsht çfarë kanë dashur të marrin”, thotë Mila.

Mila hedh poshtë akuzat për bllokimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa flet edhe për akuzat për lidhjet me krimin që janë artikuluar nga Berisha. Sipas saj, e gjithë kjo tymnajë nisi për shkak të frikës së demokratëve se Mile do t’iu rrëmbente në Fier votat e demokratëve. Ajo thotë se sulmet për lidhjet me krimin ishin një alibi e non gratës, referuar Sali Berishës, për të cilin me batuta i thotë që ta ngacmojë sepse ishte përgatitur për përballje më të fortë.

E gjithë kjo tymnajë nisi nga frika se mos Sara vilte shumë vota nga thesi i votave të PD. Sinjalet e para po, PD e Elbasanit nuk ekziston. E kanë lënë strukturën e PD në një derexhe, ku nuk ka më kurrë fare ekulibiri, energji ose fryme, ndaj mendoj që gjeti një alibi non grata duke ia varur një vajze të re me potencial dhe kjo alibi veçse mori mirë. Njerëzit ma marrin për mendjemadhësi, por reklama që Berisha për mua, vetëm një ditë mbrapa të deklaratës së tij për mua, pata një boom në rrjetet sociale, të të asociojë numri një i PD ka një gjë këtu dhe njerëz të revoltuar, qoftë nga ai, qoftë socialistë të vjetër, si mundet ai një vajzë të re t’a bëjë pis. Unë mendoj se sot e ka kuptuar, mendoj që e ka pranuar. Më ngacmo se nuk është mirë kështu, unë u përgatita për ngacmime të forta”, vijon Mila.

A do ta linte Kuvendin për të garuar si kryebashkiake për Elbasanin në zgjedhjet vendore të 2027-ës? Kurrë mos thuaj kurrë, përgjigjet Mila.

Nuk ka qenë në ambiciet e mia. Kam mësuar në jetë që kurrë të mos them kurrë, sidomos për faktin që në një vit arrita të kisha një mandat do gënjeja të thoja që vendos vetë, ky është një vendim kryesie. Mua më pëlqen shumë kuvendi, e shijoj të qenurit aty, shumë mendojnë se shijojmë vetëm pjesën e batutave. Ato 2 orët e para të të enjtes janë fokusi, performon PD duke abuzuar me procedurë, e kuptoj që për shumë kënd kuvendi është ai, por për mua jo. Puna e madhe që ne bëjmë nëpër komisione, kuvend për integrimin, është projekt politik. Për mua është nder të bëj pjesën e mozaikut në këtë proces. Nuk do doja të largohesha nga kuvendi në asnjë lloj mënyrë, jeta ime është e gjatë, karriera ime e tillë. Nëse kryesia do ta shoh të arsyeshme që kjo lojtare është shumë më mirë brenda lokalitetit të vet, se sa formacionit në kuvend, nuk jam askush për të refuzuar. Sot nuk e mendoj”, thekson Mila.

/Shqip.com