Teknologji

Samsung ju mundëson ta rregulloni vetë telefonin

Samsung nisi zyrtarisht programin e vet-riparimit në Korenë e Jugut që mbulon riparimet e smartfonëve, laptopëve dhe televizorëve.

Përdoruesit do të jenë në gjendje të porosisin pjesë këmbimi dhe mjete për vetë-riparime që mbulojnë seritë e telefonave inteligjentë Galaxy S20, Galaxy S21 dhe Galaxy S22.

Programi mbulon ekranin, kapakun e pasmë dhe pjesët e portit të karikimit, dhe mjetet e nevojshme për të përfunduar riparimin. Samsung pritet të shtojë mbështetje për më shumë pajisje në të ardhmen.

Përveç kësaj, përdoruesit do të mund të porosisin pjesë këmbimi për laptopin Galaxy Book Pro 15,6 inç, si dhe tri modele televizive të serisë UN32N4000.

Riparimet e laptopëve përfshijnë ekranin, tastierën me prekje, butonin e gjurmëve të gishtave/energjisë, kutinë e përparme, kasën e pasme dhe elementët e gomës.

Samsung Korea e Jugut do të ofrojë manuale dhe video zyrtare riparimi për çdo riparim të mbështetur përmes faqes së saj zyrtare të internetit.

Pas riparimeve të smartfonëve, përdoruesit do të jenë në gjendje të kryejnë një vetë-diagnozë brenda aplikacionit Samsung Members për të vlerësuar riparimin e tyre.

Përdoruesit do të jenë në gjendje t’i kthejnë pjesët e tyre të përdorura në Samsung për një rimbursim të pjesshëm dhe asgjësim të sigurt.

/Shqip.com