Lajme

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama krah Sanchez dhe Michel në Bruksel

Këtë të mërkurë mbahet në Bruksel takimi mes liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Në fokus të këtij takimi pritet të jetë anëtarësimi në Bashkimin Europian i vendeve të rajonit.

Kryeministri Edi Rama është në krye të delegacionit shqiptar dhe pret një dritë jeshile për çeljen e 5 kapitujve të parë të anëtarësimit të vendit në BE.

Ndërkohë kanë dalë edhe pamje nga takimi, ku kryeministri Rama shfaqet krah kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Në orët e mbrëmjes është parashikuar edhe një konferencë për mediat për konkluzionet e këtij takimi (orari i parashikuar ishte 20.45).

Me interes do të jetë edhe qëndrimi i Greqisë nëse do të pengojë apo jo hapjen e grup-kapitujve të Shqipërisë për shkak të cështjes ‘Beleri’.

Çfarë pritet të ndodhë sot në Bruksel
Liderët e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor do të takohen të mërkurën e 13 dhjetorit në Bruksel.

Në fokus të këtij takimi pritet të jenë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, si një nga çështjet kryesore që shqetëson të gjithë rajonin.

Çështje kjo që do të pasqyrtohet edhe në deklaratën e përbashkët që do të firmoset nga të gjithë liderët e pranishëm.

Radio Europa e Lirë ka zbardhur një pjesë të kësaj deklarate, ku do të kërkohet nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, angazhim serioz për zbatimin e rekomandimeve dhe marrëveshjes së normalizimit.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, dhe Serbia nga kryeministja Ana Bërnabiç.

Pjesë e deklaratës do të jetë edhe angazhimi i BE për përshpejtimin e procesit të integrimit për vendet e rajonit , bazuar në meritat individuale të vendeve.

Por ndonëse flitet për përshpejtimin e procesit të integrimit, Greqia kërcënon me veto Shqipërinë për çështjen Beleri.

Vetoja e mundshme për vendin tonë, pritet të jetë një nga cështjet e tjera që do të diskutohet në këtë samit.

Nga 27 vendet e BE-së, Greqia është i vetmi shtet që nuk ka firmosur dokumentin e përbashkët për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave, duke kërkuar fillimisht betimin e Fredi Belerit si kryetar bashkie të Himarës.

Por vetëm disa ditë më parë Krymeinistri Rama i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen në samit bëri të qartë se qëndrimi i shqipërisë për çështjen Beleri nuk do të ndryshojë as para e as pas takimit të 13 dhjetorit.

/Shqip.com