Sallahu: Kemi përfunduar draftin e parë të Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se ka përfunduar drafti i parë i Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sallahu shtoi se kanë bërë analiza të gjata për muaj me radhë për finalizimin e draftit.
“Këtë draftligj po e procedojmë tutje tek 5 ekspertë të përzgjedhur ndërkombëtarë, të cilët me përvojën e dijen e tyre perëndimore, sipas nevojës do ta plotësojnë e harmonizojnë atë me praktikat dhe standardet më të mira evropiane. Pas shqyrtimit nga ekspertët, këtij Projektligji do t’i japim dritën e gjelbër në grupin e gjerë punues, duke i iniciuar procedurat për t’ia dërguar Qeverisë dhe më pas Kuvendit”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Ai gjithashtu deklaroi se “ky do të jetë ndër ligjet më të rëndësishme të agjendës sonë legjislative sepse shteti e qytetarët tanë kanë lënguar nga mungesa e drejtësisë. Tani e tutje nuk do të jetë më njësoj!
“Shantazhet dhe kërcënimet e atyre që nuk e duan drejtësinë nuk mund të na trembin përkundrazi ato janë infuzion për ne për të ecur edhe më shpejt në realizim të objektivave tona”, përfundoi i dyti në Ministrinë e Drejtësisë.
Konfiskimi i Pasurisë së Pajustifikuar ishte premtim i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore. /Shqip.com