Lajme

Sallahu: Jam intervistuar unë dhe Haxhiu për rastin ‘Dehari’

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se për rastin e Astrit Deharit është intervistuar nga Prokuroria ai dhe ministrja, Albulena Haxhiu.

Në një intervistë për ATV, Sallahu tha se kanë dhënë informata të caktuara varësisht prej pyetjeve të prokurorisë.

“Jemi intervistuar unë dhe ministrja Albulena Haxhiu, kemi dhënë informata të caktuara, varësisht prej pyetjeve të hetuesisë. Deri më tani nuk ka ndonjë verdikt qoftë i Prokurorisë apo gjyqësisë lidhur me këtë rast. Ne kemi dorëzu informacione të shumta Prokurorisë, mirëpo deri tash një mungesë e vullnetit të tyre ka bërë që rasti të moszgjidhet”, tha Sallahu.

Tutje, Sallahu e ka quajtur rastin e Astrit Deharit si rast politik.

“Nga kjo studio televizive kërkoj që Prokuroria të zbardhë sa më shpejt sidomos rastin e mostrave po se po, por edhe rastin në përgjithësi sepse është një rast jashtëzakonisht i rënd. Rasti është politik sepse edhe Astriti ka qenë aktivist politik. Është rast i sistemit të drejtësisë si dhe të gjithë akteret e drejtësisë duhet të punojnë për zbardhjen e një rasti të tillë”.

Madje, Sallahu tregon se një gardian që ka qenë në autoambulancën që është bartur Astrit Dehari, është marrë në pyetje nga Prokuroria pas gjashtë vitesh nga ndodhja e rasti.

/Shqip.com