Lajme

Salih Mustafa sot paraqitet para Apelit

Ish-komandanti i UÇK-së - Salih Mustafa

Sot do të mbahet konferenca para Apelit në çështjen ndaj Salih Mustafës, e cila do të fillojë në orën 10:00, mirëpo për publikun do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Kryetarja e Panelit të Gjykatës së Apelit, Michèle Picard, do të ftojë palët, mbrojtjen e viktimave dhe/ose Zyrën Administrative sipas rastit të paraqesin parashtresa për paraburgimin e të akuzuarit në pritje të ankesës, duke përfshirë gjendjen e tij mendore dhe fizike, në përputhje me Rregulli 178 i Rregullores.

Po ashtu do të diskutohet edhe progresi i bërë në përkthimin e aktgjykimit në gjuhën shqipe dhe përfundimi i pritshëm i tij dhe çdo çështje tjetër që kryetari i trupit gjykues mund të dëshirojë të ngrejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në njoftimin për apel, mbrojtja e Mustafës, ka bërë të ditur se kërkon prishjen e dënimevet për pikat 1, 3 dhe 4 dhe zëvendësimin e tyre me lirime për secilën pikë, ose një urdhër për kthimin e çështjes te trupi gjykues apo nëse vërtetohen një/të gjitha dënimet, ulje dënimi.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 

/Shqip.com