Lajme

Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim, reagon Haradinaj

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi ish-komandanti Salih Mustafa-Cali, është dënuar me 26 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Ai ka thënë se beson fuqishëm në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!

Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Lexo edhe:
Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale, e ka shpallur fajtor Salih Mustafën. Ai u dënua me 26 vjet burgim me akuzat për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krimet dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluar në aktgjykim ju shpall fajtor, për torturë për krime lufte, ndalim arbitrar për krime lufte, si pjesë e ndërmarrjes kriminale”, deklaroi gjyqtarja në momentin e shpalljes së dënimit.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

/Shqip.com