Lajme

Sahatçiu: Pse Mujeci u emërua nga LVV si aksioner në ndërmarrjen që menaxhon linjat e autobusëve?

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu,

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar lidhur me arrestimin e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, i cili së bashku me dy persona të tjerë dyshohet se kanë trafikuar substanca narkotike nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.

Sahatçiu, ka hedhur dyshime se pse Mujeci u emërua nga LVV, si aksionar “në ndërmarrjen që menaxhon udhëtimet e linjave të autobusëve?”.

“Kjo është pytja kryesore me interes publik për taksapaguesit e Prishtinës rreth ngjarjes së sotme. Për më tepër, kur emërimi i po të njejtit është bërë me seancë të jashtëzakonshme për të destabilizuar punën e Kuvendit të Kryeqytetit, në emër të “kthimit të ndërmarrjeve në të mirën e interesit të qytetarëve”. Qysh na qenka mbrojtur realisht interesi i qytetarëve me zëvendësimin e aksionerit të kaluar me Mujecin si aksioner të ri në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”?”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook.

Tutje, ajo tha se subjektet politike edhe mund të distancohen nga individë anëtarë për veprime të tyre individuale, por që, sipas saj nuk mund të distancohen kalimthi pa dhënë përgjegjësi kolektive, “kur të njejtin anëtar që sot me shfaqje teatrale e gjykon për veprime individuale në komision disiplinor dhe e përjashton nga grupi, ka vendosur dikur t’a emërojë si aksioner përfaqësues të subjektit në ndërmarrjen ku po ky veprim u mundësua”.

/Shqip.com