Lajme

Sa deputetë do marrë PS në 2025? Rama optimist: Më shumë se asnjëherë më parë

Optimist duket kryeministri Edi Rama për zgjedhjet parlamentare të pranverës së 2025-s. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Asamblesë së PS, Rama tha se në zgjedhjet e 2025-ës Partia Socialiste parashikon të marrë më shumë mandate se asnjëherë tjetër.

Me më shumë se asnjëherë tjetër. Se sa do jenë do ua themi rrugës”, tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Për 5 orë me radhë PS zhvilloi sot mbledhjen e Asamblesë Kombëtare e cila është shoqëruar nga diskutime, por edhe debate, pasi kryeministri ka shprehur rezerva për disa drejtues të qarqeve, deputetë e ministra.

Madje, Rama ka kërkuar listën e emrave të atyre përfaqësuesve socialistë të cilët nuk kanë arritur objektivat elektoralë të parashikuar.

Rama: Qasja ime vetëkritike
Kreu i qeverisë Edi Rama tha se diskutimet ishin të shumta. Ai theksoi se kishin një qasje vetë-kritike në lidhje me punën që është bërë ndërsa shtoi se kanë miratuar veprimet që do të bëjnë gjatë periudhës 15 shkurt- 15 mars.

Bëmë një mbledhje të gjatë. Me diskutime të shumta. Ishte një mbledhje punë dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte dhe opinione. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme të partisë, nga zgjedhës që e kanë votuar ose jo PS. Ka pasur një qasje vetëkritike nga të gjithë së bashku, duke filluar nga unë. Mos besoni shumë se si rrjedhin gjërat.

Jam këtu për të ju informuar se jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje. Kemi miratuar dhe planin e veprimet për periudhën 15-shkurt dhe 15 mars, ku fillojnë zgjedhjet në të gjithë organizatën tonë politike. Do të kemi mbledhje më 16 shkurt ku do shohim ecurinë e punës gjatë kësaj kohe”, tha Rama.

Asamblenë e dytë Kombëtare e PS, më 16 mars
Partia Socialiste pritet të mbajë Asamblenë e dytë Kombëtare më 16 mars, në Durrës. Ndërkohë sot, PS zhvilloi me dyer të mbyllura mbledhjen të Asamblesë. Në fokus të diskutimeve ishin zgjedhjet parlamentare të 2025 dhe hapat që mazhoranca pritet të ndërmarrë për këtë drejtim.

Për t’ju thënë që është mbledhje pune, raportimesh lidhur me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për ta bërë gati PS për fitoren e radhës. PS është në një proces të rëndësishëm dhe jemi shumë të vetëdijshëm që është më e nevojshme se asnjëherë më parë një hapje e madhe e partisë. Nuk kemi sot asnjë plan për të bërë ndryshime. Jemi mbledhur këtu për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera”, tha Rama në nisje të punimeve të Asamblesë.

/Shqip.com