Ekonomi

Rusia – Kosovën s’e njeh, por tregun po

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Ndonëse Kosovën nuk e njeh si shtet – Federata Ruse eksporton miliona vlerë mallrash.

Kështu tregojnë të dhënat në Doganën e Kosovës – ku vetëm gjatë vitit 2020, në Kosovë u importuan mbi 46 milionë euro mallra nga Rusia.

Trendi do të jetë i njëjtë edhe për këtë vit – pasi referuar statistikave për periudhën janar-shtator – nga Rusia janë importuar vlera që kapin shifrën e 36 milionëve.

Dogana e Kosovës

Zëdhënësi në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Shqip.com se jo të gjitha produktet me origjinë ruse, vijnë në Kosovë drejtpërdrejt nga shteti rus.

Kjo pasi ka kompani në Ballkan dhe Evropë që janë të akredituar nga kompanitë ruse për shtirjen e aktivitetit afarist.

Ajo që vjen direkt nga Rusia, sipas Stavilecit – është llamarina,  pije alkoolike, pllaka zdrukthi etj.

Nga të dhënat e doganës rezulton që prej importit rus, Kosova për në vitin 2020 ka përfituar mbi 461 mijë euro nga taksa doganore dhe më shumë se 27 mijë euro nga akciza.

Por, shteti rus është aktiv veç në eksport – pasi është krejtësisht pasiv në investimet direkte në Kosovë.

Kështu thonë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për pesë vitet e fundit.

“Investimet direkte nga Rusia në vendin tonë kanë qenë zero. Gjithashtu, edhe në vitet e mëhershme, investimet nga ky shtet kanë qenë të papërfillshme, pothuajse zero”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Shqip.com

Banka Qendrore e Kosovës

Kosova dhe Rusia

“Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë” në vitin 2017 kishte publikuar një studim rreth ndikimit rus në Kosovë.

Nuk është ekonomia fusha primare e Rusisë në Kosovë – por zonat e banuara me serbë, aty ku influenca ruse shtrihet.

Pikërisht, Rusia është mbështetëse e Serbisë në raport me Kosovën. Madje, kryesori.

Mirëpo, as Kosova nuk ka qëndruar indiferente ndaj Kremlinit.

Më 2014, Prishtina zyrtare – kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.

Ishin listuar një numër i kompanive dhe personave, të cilëve u është ndaluar biznesi në Kosovë.

Kosova ishte bashkuar në linjën e perëndimit për sanksionimin e Rusisë, sidomos pas krizës në Krime.

Takimi i Hashim Thaçit si president i Kosovës më 12 nëntor 2018 me presidentin rus, Vladimir Putin

Ndërsa, Serbia me ndihmën e Rusisë ka qenë penguese për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL.

Pa aprovimin rus, Kosova nuk mund të bëhet as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kjo pasi, Rusia është një nga pesë shtetet që kanë veto. Kremlini vazhdon ta mohojë pavarësinë e Kosovës duke pretenduar se akti i 17 shkurtit 2008 ishte “kundër së drejtës ndërkombëtare”.

Ekonomia ruse dhe e ardhmja e saj

Ekonomia ruse

Sipas raportit të Bankës Botërore, rritja e GDP-së globale parashikohet të rimëkëmbet në 4 për qind në 2021 dhe të moderohet në 3.8 përqind në 2022.

Megjithatë, pandemia COVID-19 vazhdon të prishë aktivitetin ekonomik në të gjithë botën, duke hedhur pasiguri të gjerë rreth parashikimeve të GDP-së

Rritja bazë e GDP -së ruse parashikohet në 3.2 për qind në 2021, pastaj nga 3.2 dhe 2.3 për qind në 2022 dhe 2023, respektivisht.

“Rimëkëmbja ekonomike globale, çmimet më të larta të naftës dhe kushtet e buta monetare të brendshme në 2021 pritet të mbështesin një rimëkëmbje që do të udhëhiqet nga konsumi i familjeve  dhe investimeve publike”, thuhet në raportin e Bankës Botërore /Shqip.com

Banka Botërore