Lajme Botë

Rusia kërkon fundin e “menjëhershëm” të luftës

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe homologu i tij brazilian Mauro Vieira.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe homologu i tij brazilian Mauro Vieira.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se vendi i tij dëshiron që lufta në Ukrainë “të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Brazil, kreu i diplomacisë ruse theksoi se vendi i tij dëshiron një zgjidhje “të gjatë dhe të menjëhershme” të konfliktit në Ukrainë që filloi vitin e kaluar, por deklaroi se as qeveria ukrainase dhe as Perëndimi “nuk kontribuojnë” në këtë objektiv.

“Është e qartë se ne jemi të interesuar për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Lavrov në një konferencë shtypi pas takimit me homologun e tij brazilian Mauro Vieira, raporton a2news.

Përveç kësaj, Lavrov mbrojti nevojën për një rend botëror “të drejtë, korrekt dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare”. Në këtë kontekst, ai falënderoi Brazilin për “kontributin” në kërkimin e një zgjidhjeje të konfliktit në Ukrainë. Më konkretisht, ai falënderoi homologun Vieira për refuzimin e vendosjes së sanksioneve nga Brazili.

Lidhur me këto sanksione, Viera theksoi traditën e diplomacisë braziliane për t’i mbështetur ato vetëm kur kanë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe shtoi se, në këtë rast dhe në situatën aktuale globale, “ato kanë pasur ndikim mbi të gjithë ekonominë globale, e cila ende nuk është rikuperuar nga pandemia” e COVID-19”.

/Shqip.com