Lajme

Rusia i shpeshton sulmet në Ukrainë, i vret tre njerëz dhe i plagos disa të tjerë

Një ushtar ukrainas përgatitet për betejë kundër pushtuesit rus në një lokacion të panjohur pranë rajonit Zaporizhja, 12 shkurt 2024.
Një ushtar ukrainas përgatitet për betejë kundër pushtuesit rus në një lokacion të panjohur pranë rajonit Zaporizhja, 12 shkurt 2024.

Rusia i ka shpeshtuar sulmet në disa rajone të Ukrainës të martën, duke i vrarë së paku tre njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e energjisë, thanë zyrtarët ukrainas.

Një burrë 64-vjeçar u vra nga bombardimet ruse në qytetin jugor, Nikopol, mëngjesin e së martës, tha Serhiy Lyask, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, duke shtuar se u dëmtua edhe një shtëpi private.

Në rajonin jugor Herson, një burrë 83-vjeçar u vra nga bombardimet mbi fshatin Leviv mëngjesin e së martës, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin. Ai shtoi se dy civilë u plagosën në këtë rajon nga sulmet e djeshme.

Disa njerëz u plagosën nga bombardimet ruse në rajonet Zaporizhja dhe Donjeck, thanë autoritetet.

Të martën, Rusia kreu sulme me dronë në rajonin Dnipropetrovsk për ditën e dytë radhazi, duke e shënjestëruar infrastrukturën e energjisë, tha Lysak.

“Mbrojtja jonë i rrëzoi 10 dronë mbi qytetin Dnipro”, shkroi Lysak në Telegram.

“Por objektet e energjisë u goditën disa herë në këtë qytet, dhe si pasojë shpërtheu një zjarr”, shtoi ai.

Kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, DTEK, tha se termocentralet pësuan dëme të mëdha gjatë sulmeve, por nuk ka viktima.

Kryetari i Dnipro, Borys Filatov, tha se shkollat u mbyllën në një lagje dhe se një spital u evakuua para një moti të ftohtë që pritet ta godasë këtë pjesë, i cili do ta rriste trysninë ndaj rrjetit elektrik.

Me gati një milion banorë, Dnipro është qyteti i katërt më i madh i Ukrainës.

Lysak tha se punëtorët e kanë kthyer furnizimin me rrymë në qytezën e vogël Pavlohard, në jug të Dnipros, e cila ishte sulmuar nga dronët rusë një ditë më parë.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 16 nga 23 dronët me të cilët Rusia i sulmoi të martën rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Herson. /REL

/Shqip.com