Lajme Botë

Rusia e akuzon Britaninë e Madhe për hedhjen në erë të tubacioneve të gazit Nord Stream

Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se personeli i marinës britanike hodhi në erë tubacionet e gazit Nord Stream muajin e kaluar, një pretendim që Londra tha se ishte i rremë dhe i krijuar për të shkëputur vëmendjen nga dështimet ushtarake ruse në Ukrainë.

Siç raporton Reuters, Rusia nuk dha prova për pretendimin e saj se një anëtar kryesor i NATO-s kishte sabotuar infrastrukturën kritike ruse në mes të krizës më të keqe në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë që nga thellësia e Luftës së Ftohtë.

Ministria ruse tha se “specialistët britanikë” nga e njëjta njësi drejtuan sulmet me dronë ukrainas mbi anijet e flotës ruse të Detit të Zi në Krime më herët të shtunën, për të cilat tha se ishin zmbrapsur kryesisht nga forcat ruse, me dëmtime të vogla në një minahedhëse ruse.

“Sipas informacioneve të disponueshme, përfaqësues të kësaj njësie të Marinës Britanike morën pjesë në planifikimin, sigurimin dhe zbatimin e një sulmi terrorist në Detin Baltik më 26 shtator të këtij viti – duke hedhur në erë tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. ”, tha ministria e mbrojtjes ruse.

Por, Britania e ka mohuar këtë pretendim.

“Për të penguar trajtimin e tyre katastrofik të pushtimit të paligjshëm të Ukrainës, Ministria ruse e Mbrojtjes po përdorë pretendime të rreme në një shkallë epike”, tha ministria britanike e mbrojtjes.

/Shqip.com