Teknologji

Rusia do të ndalojë Instagramin, pasi Meta po lejon kërcenimet kundër ushtrisë ruse

Meta po lejon përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it në Ukrainë të postojnë “forma të shprehjes politike” që zakonisht shkelin politikat e saj të gjuhës së urrejtjes, duke përfshirë nxitjen e njerëzve për të vrarë ushtarët rusë që po sulmojnë vendin.

Në përgjigje, qeveria ruse, e cila tashmë bllokoi më parë Facebook -un , tha se do të ndalojë gjithashtu Instagramin nga 14 marsi, shkruan Variety.

“Në rrjetin social Instagram po qarkullojnë mesazhe që inkurajojnë dhe provokojnë akte të dhunshme kundër rusëve, në lidhje me të cilat Prokuroria e Përgjithshme Ruse kërkoi që Roskomnadzor të kufizojë aksesin në këtë rrjet social”.

Sipas Metës, ajo ka lejuar përkohësisht fjalime të dhunshme nga përdoruesit në Ukrainë, si “vdekje pushtuesve rusë” në shërbimet e saj, por ende nuk po lejon “thirrje të besueshme për dhunë ndaj civilëve rusë”.

Ndryshimi i politikës së kompanisë është përqendruar në mbrojtjen e “të drejtave të fjalës së ukrainasve si një shprehje e vetëmbrojtjes në reagim ndaj një pushtimi ushtarak të vendit të tyre,” shkroi presidenti i Meta për çështjet globale, Nick Clegg në një postim në Twitter .

“Fakti është se nëse do të zbatonim politikat tona standarde të përmbajtjes pa asnjë rregullim, tani do të hiqnim përmbajtjen nga ukrainasit e zakonshëm që shprehin rezistencën dhe zemërimin ndaj forcave ushtarake pushtuese, të cilat me të drejtë do të shiheshin si të papranueshme,” vazhdoi Clegg.

Meta nuk i ka ndryshuar politikat e saj të gjuhës së urrejtjes siç zbatohen për “popullin rus”, shkroi drejtuesi i Meta.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj diskriminimi, ngacmimi apo dhune ndaj rusëve në platformën tonë.”

Adam Mosseri, kreu i Instagramit, kritikoi planin e Rusisë për të bllokuar aplikacionin. “Ky vendim do të shkëputë 80 milionë në Rusi nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e botës pasi 80% e njerëzve në Rusi ndjekin një llogari në Instagram jashtë vendit të tyre”, shkroi ai në Twitter .

Gjithashtu të premten, Komiteti Hetimor i Rusisë, agjencia federale e zbatimit të ligjit të vendit, njoftoi se kishte nisur një çështje penale kundër Metës lidhur me lejimin e përdoruesve ukrainas për të bërë thirrje për dhunë kundër ushtrisë ruse.