Lajme Botë

Rusia dhe SHBA shkëmbejnë fjalë të ashpra për Ukrainën në OKB

Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Të hënën, Rusia ka akuzuar Perëndimin për një rritje të tensioneve mbi Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara kishin sjellë “nazistët e pastër” në pushtet në Kiev, përcjell Shqip.com.

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka zhvilluara një debat “të stuhishëm dhe luftarak” për grumbullimin e trupave të Moskës afër fqinjit të saj jugor, raporton Zëri i Amerikës.

Linda Thomas – Greenfield, ambasadore amerikane në OKB, u kundërpërgjigj duke thënë se rritja e forcave ushtarake e Rusisë prej më shumë se 100 mijë trupash përgjatë kufijve të Ukrainës ishte “mobilizimi më i madh” në Evropë në dekada.

“Ata po përpiqen, pa asnjë bazë faktike, të përshkruajnë Ukrainën dhe vendet perëndimore si agresorë për të sajuar një pretekst për sulm,” tha ajo.

“Shkëmbimet” e ashpra në KS të OKB-së erdhën pasi që Moska humbi një përpjekje për bllokimin e takimit që reflektoi hendekun mes dy fuqive bërthamore.

Ndërkaq, edhe pse këtë javë pritet më shumë diplomaci e nivelit të lartë, bisedimet me Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë nuk kanë arritur që të ulin tensionet, teksa Perëndimi thotë se Moska po përgatitet për një pushtim.

Kurse, Rusia ka mohuar se ka kërkuar që NATO-ja të premtojë se kurrë nuk do të lejojë Ukrainën të bashkohet me aleancën, të ndalojë vendosjen e armëve të NATO-s dhe të tërheq trupat e saj nga Evropa Lindore.

Ambasadori i Rusisë, Vassily Nebenzia akuzoi administratën Biden për rritje të tensioneve dhe retorikës dhe provokim të përshkallëzimit.

“Ti thuajse po kërkon që kjo të ndodh. Ju dëshironi që të ndodhë. Ju jeni duke pritur që kjo të ndodhë, sikur doni që fjalët tuaja të bëhen realitet”, tha ai.

Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për rrëzimin nga pushteti të një presidenti mik të Kremlinit në Kiev në vitin 2014, duke thënë se kjo solli në pushtet “nacionalistët, radikalët, rusofobët dhe nazistët e pastër” dhe krijoi antagonizmin që ekziston midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Nëse ata nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë ne deri më sot do të jetonim në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë,” tha ambasadori Nebenzia.

“Megjithatë, disa në Perëndim thjesht nuk e pëlqejnë këtë skenar pozitiv. Ajo që po ndodh sot është një përpjekje tjetër për të krijuar një nyjë mes Rusisë dhe Ukrainës”.

Ambasadori Nebenzia u largua menjëherë nga salla ndërsa ambasadori ukrainas filloi të fliste, duke ia lënë vendin zëvendësit të tij.

Votimi për mbajtjen e një takimi të hapur u miratua 10-2, ku Rusia dhe Kina kundërshtuan ndërsa India, Gaboni dhe Kenia abstenuan. Nëntë vota ishin të nevojshme për t’u miratuar hapjen e takimit.

Presidenti Biden tha në një deklaratë se takimi ishte “një hap kritik në bashkimin e botës për të folur me një zë” për të refuzuar përdorimin e forcës, për të kërkuar uljen e përshkallëzimit ushtarak, për të mbështetur diplomacinë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga çdo anëtar “për tu përmbajtur nga agresioni ushtarak kundër fqinjëve të tij.”

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken nuk bënë ndonjë përparim të dukshëm në zbutjen e tensioneve në takimin e tyre në Gjenevë në fillim të këtij muaji. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse ata pritet të flasin me telefon të martën. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit konfirmoi njoftimin.

Presidenti Biden paralajmëroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një telefonatë të enjten se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia mund të fillojë një inkursion në shkurt, por udhëheqësi ukrainas u përpoq të minimizonte frikën e luftës.

Zoti Zelenskyy tha të premten se “ne nuk po shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se më parë” dhe theksoi se grumbullimi rus mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar “presion psikologjik” dhe për të mbjellë panik./SHQIP.com