Lajme

Rusia bombardon Katedralen në Odesa, vritet një dhe plagosen 22 persona

Një person është vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm i fundit rus me raketa në qytetin-port ukrainas të Odesës, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas, më 23 korrik.

Një katedrale ortodokse është dëmtuar rëndë nga sulmi ushtarak rus i natës, ka thënë Oleh Kiper, guvernator i rajonit jugor të Odesës në Ukrainë, përmes një njoftimi në platformën Telegram.

“Odesa: një tjetër sulm nate nga përbindëshat”, ka shkruar Kiper. Ushtria e Rusisë ka kryer sulme ndaj Odesës dhe qendrave tjera ukrainase të eksportimit të ushqimit gjatë javës së kaluar, pasi Kremlini është tërhequr nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për një korridor detar, që lejonte kalimin e sigurt të anijeve transportuese me drithëra ukrainase. Kievi e ka akuzuar Moskën për shënjimin e rezervave të drithërave dhe të infrastrukturës vitale për marrëveshjen.

“Raketa kundër qyteteve paqësore, kundër ndërtesave të banimit, kundër një katedraleje… Nuk mund të ketë arsyetim për ligësinë ruse. Si gjithmonë, kjo ligësi do të humbë. Dhe, padyshim se do të ketë hakmarrje ndaj terroristëve rusë për Odesën. Ata do ta ndiejnë këtë hakmarrje”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një shkrim në rrjetin social Twitter, pas sulmit ushtarak rus ndaj Odesës.

/Shqip.com