Lajme

Rusët që shkaktuan incidentin në Gramsh, dyshohet se përdornin targa të falsifikuara në makinën e tyre

Tre shtetas të huaj, dy rusë dhe një ukrainas të cilët tentuan të futen në ambientet e brendshme në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh, dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të një spiunazhi që dëmtojnë interesat e Shqipërisë.

Siç raporton Abc News, burimet e tyre kanë bërë me dije se në makinën e tipit “Chevrolet” me të cilën lëviznin tre shtetasit e huaj, në bagazhin e saj Policia ka gjetur targa të cilat dyshohet së kanë qenë të falsifikuara.

Prokuroria pritet të dorëzojë kërkesat për masat e sigurisë ndaj tyre brenda afatit ditën e sotme.

Ndërkohë, siç abcnews.al ka raportuar më herët në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit.

Gramsh

Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa për Prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta tre shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit tonë.

ABC ka mësuar, se janë zbërthyer aparatet celulare të tre shtetasve të huaj ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme por kryesisht “Telegramit”.

Kujtojmë se të arrestuarit janë 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç dhe një i ri tjetër me pasaportë ukrainase, Fiodor Mihailoviç. Ndaj tyre prokuroria ka ngritur tre akuza, mes të tjerash edhe për spiunazh./Shqip.com