Rumunët e nënçmojnë Kosovën

Kosova do të përballet me Rumaninë në kualifikimet për EURO 2024, ndërsa legjendat e futbollit rumun nuk e bëjnë shumë hesap Përfaqësuesen dardane, duke theksuar se do të luftojnë me Zvicrën për pozitën e parë.
Ish-selektori i Rumanisë, Victor Piturca është i mendimit se asnjëra prej kombëtareve nuk janë të pamposhtura, madje as Zvicra, që konsiderohet si favorite e grupit.
“Sigurisht, Zvicra është shumë lart në renditjen e FIFA-s (15). Ata kanë lojtarë të vlefshëm që luajnë në kampionate të forta, por mund të fitosh edhe kundër tyre. As Zvicra nuk është një skuadër për t’u frikësuar. Ne duhet ta kemi në mendje idenë për ta zënë vendin e parë ose të dytë, që të çon automatikisht në turneun final. Edhe unë në një moment garoja për vendin e parë me Holandën dhe arritëm ta realizonim këtë ëndërr. Pse të mos e mendojnë të njëjtën gjë ata që janë në krye për momentin?”, u shpreh Pițurca për mediumin rumun “Pro Arena”.

Ndërkaq, Ciprian Marica, ish-sulmues i Kombëtares rumune, thotë se kualifikimi për rumunët është i mundshëm, por jo edhe i lehtë.
“Edhe sikur ta zgjidhnim vetë grupin, nuk mund të zgjidhnim më mirë. Me fat është edhe Edi Iordanescu, ai e ka një grup të suksesshëm. Është e arritshme, por jo e lehtë”, deklaroi ai.
“Vendi i parë? Le të mos ëndërrojmë tani. Ideja është që ne kemi shanse”, përfundoi Marica.
Ndërkohë, në mesin e rumunëve ka edhe zëra që nuk duhet luajtur fare me Kosovën, pasi Rumania nuk e ka njohur ende vendin tonë si shtet. Përveç Kosovës e Rumanisë, në Grupin I janë edhe Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.
/Shqip.com