Ekonomi

Rukiqi: Fondi Sovran do të jetë dështimi i kësaj Qeverie

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se formimi i Fondit Sovran do të jetë projekt i dështuar dhe barrë shtesë për Qeverinë e Kosovës.

Rukiqi tha se nuk e sheh si zgjidhje për ekonominë vendëse Fondin Sovran, dhe si e tillë s’është dashur që të formohet.

“Këtë e ka proklamuar si projektin më madhor të ekonomisë. Ne do të jemi dëshmitarë, do të flasim edhe pas shumë vitesh. Ky do të jetë dështimi më madhor i ndonjë qeverie. Sepse nuk është zgjidhja e ekonomisë së Kosovës fondet sovrane, koncentrimi i shtetit në kompanitë të cilat kanë nevojë për kapital por jo përmes koncentrimit të tyre në fondet e tilla, shto aty që fonde të tilla apo një prezencë e publikes në një instrument kaq të madh, e shton hapësirën për keqpërdorime, por përveç kësaj nuk është model fondi sovran për Kosovën”, tha Rukiqi.

Tutje, Rukiqi është shprehur se ky fond do të bëhen barrë për qeverisjen dhe se një pjesë e energjisë do ta marrë menaxhimi i tij.

“Këtë rast, do të ketë probleme, jo vetëm me përformancën e tyre por do të ketë edhe probleme shtesë për shkak se do të bëhen barrë për qeverisjen dhe një pjesë e energjisë do ta marrë menaxhimi i këtij Fondi. Ky do të jetë një dështim kolosal i kësaj qeverisjeje”, thotë tutje Rukiqi për EO.

/Shqip.com