Lajme

Rugova në sytë e Krasniqit: Politikan vizionar e human, i mungonte pragmatizmi

Sot u shënua 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ai e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 1989, ku mblodhi rreth vetës akademikë, shkrimtarë e historian që kishin qenë pjesë e Shoqatës së Shkrimtarëve.

Njëri nga bashkëpuntorët e parë të Rugovës, shkrimtari Milazim Krasniqi, në përvjetorin e ikjes së tij, e përkujton me fjalët më të mira dhe virtytet e larta njerëzore.

“Rugova ka qenë një njeri më shumë human, se politikan dhe shpesh herë e ka bllokuar veprimin politik, duke dashur ta ruaj jetën e njerëzve. Regjimi ishte brutal dhe në protesta ka mundur të ketë të vrarë e të plagosur”, shprehet Krasniqi.

Anët e mira dhe të dobëta të Ibrahim Rugovës, nuk mundet askush t’i tregoj më mirë se ata që kanë bashkëpunuar ngushtë me të.

“Ka qenë një politikan tipik evropian dhe vizionar. Ana e dobët ka qenë pragmatizmi, pra nuk ka marrë vendime të prera”, thekson Krasniqi.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi është ndalur për të treguar edhe vështirësitë që kanë ekzistuar në kohën kur është formuar LDK-ja.

“Ka qenë shumë e vështirë, por ne nuk kishim rrugë tjetër. Ose duhej të pranohej gjendja e okupimit dhe e poshtërimit, ose duhej të refuzohej. Ne e zgjodhëm refuzimin, prandaj ishte shumë më e lehtë të rreshtoheshim në parti politike”, tha Krasniqi.

Ai ka treguar edhe arsyet se pse shumë figura që ishin prej ditëve të para në LDK nuk janë më pjesë e partisë ose nuk kanë qenë pas vitit 1999.

“Shumica prej nesh kemi qenë shkrimtarë, profesorë, letrar dhe ne nuk e kemi pasur vokacion politikën. Ne kemi hyrë në politikë prej zorit. Në momentin kur politika është shndërruar në profesion pas çlirimit të Kosovës, unë nuk e kam parë vetën në politkë dhe kam vazhduar në profesionin tim akademik”, tha Krasniqi.

/Shqip.com