Lajme

RTK-së i kërkohet ta tërheqë padinë SLAPP kundër aktivistit Ademi

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi

Një grup i organizatave joqeveritare dhe aktivistëve kanë shprehur shqetësim për padinë e ushtruar nga televizioni publik “Radio Televizioni i Kosovës” kundër aktivistit dhe analistit të politikave në Institutin GAP, Agron Demi.

Ndaj, kanë kërkuar nga RTK-ja që menjëherë ta tërheqë padinë dhe në të ardhmen “të përmbahet nga veprimet që rrezikojnë lirinë e shprehjes së aktivistëve dhe dekurajojnë monitorimin e këtij institucioni”. 

Gjatë muajve mars dhe prill 2020 Demi kishte shkruar, ndër të tjera, si vijon “E kisha shtu edhe një masë për ruajtjen e shëndetit: mbylljen e menjëhershme të RTK-së”. Televizioni publik pretendon që kritika e Demit përmes statuseve në Facebook, të shoqëruara me kërkesë për mbyllje të transmetuesit publik, përbën gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndaj televizionit dhe punonjësve të tij.  

“Kritikat e Demi janë të drejta dhe paraqesin të vërtetën e hidhur për transmetuesin publik RTK. Këto kritika bazohen në fakte të ditura botërisht dhe të mbështetura me raporte ndërkombëtare dhe vendore dhe vendime gjyqësore, të cilat theksojnë që RTK është institucion i ndikuar politikisht, për shkak të keqpërdorimeve financiare këtë vit bordi i saj është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës, rreth gjysmë milioni euro janë vjedhur nga televizioni nga punëtorët e saj, vazhdimisht ka refuzuar të bëjë auditim dhe gazetarët e pavarur janë censuruar në vazhdimësi gjë që kishte çuar në protestë të vetë gazetarëve kundër televizionit”, thuhet në kërkësën e OJQ-ve dhe aktivistëve.

Ata kanë shprehur zhgënjim të thellë, pasi siç kanë thënë, RTK-ja në vend se të punojë në përmirësimin e situatës së rëndë në të cilën ndodhet transmetuesi, përdor strategji gjyqësore për të heshtur kritikët. 

“Tutje, ne konsiderojmë se padia e ushtruar nga transmetuesi publik ka karakteristika të Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP). Kjo padi është e pabazuar dhe nuk ka shanse që të ketë sukses në gjykatë. Qëllimi i saj është zvarritja e z.Demi në gjykata, shkaktimi i stresit dhe kostos financiare dhe frikësimi i tij”.

“Rikujtojmë që RTK-ja është institucion publik, financohet nga paraja publike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes publike. Si i tillë, ky institucion duhet të tregojë nivel më të lartë të tolerancës ndaj kritikës. Për më tepër, është tronditëse që buxheti publik dedikuar RTK-së keqpërdoret në procedura gjyqësore për heshtjen e kritikës”, thuhet më tej në kërkësë.

Sipas tyre, përtej rastit specifik të Demit, vetë përdorimi i padive SLAPP mund të ketë efekt frenues edhe tek aktivistët tjerë që monitorojnë dhe kritikojnë punën e transmetuesit publik.

“Nuk duhet lejuar që të krijohet një precedent i tillë i rrezikshëm që ngulfat lirinë e shprehjes”.

Padia është ushtruar pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës më 17 prill 2021 dhe është nënshkruar nga Ngadhnjim Kastrati, drejtorit të televizionit.

“Padia nuk ka emër të avokatit ndërsa lënda do të trajtohet nga gjykatësja Fatbardha Uka Ibrahimi. Z. Demi e ka pranuar padinë më 13 tetor 2021 në vendin e tij të punës”.

“Ne do të monitorojmë nga afër procesin gjyqësor dhe kemi besim të plotë që Gjykata Themelore e Prishtinës do ta trajtojë lëndën në pajtim me standardet e Gjykatës Europiane për te Drejtat e Njeriut dhe do ta njohë këtë padi si SLAPP”.  

“Po ashtu, mbesim me shpresë që një ndër veprimet e para te bordit të ri të RTK-së do te jetë tërheqja e kësaj padie dhe ndalimi i përdorimit të padive SLAPP në të ardhmen. Në fund, i bëjmë thirrje Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës që të monitorojë zhvillimet që ndërlidhen me këtë rast gjyqësor”./SHQIP.com