Lajme

RTK-ja pagoi 1 milion euro për shujta të punëtorëve, rreth 400 mijë euro më shumë

RTK

Radio Televizioni i Kosovës ka paguar 1 milion euro për shujtat e punëtorëve.

Por, sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit kjo shumë po del të jetë 400 mijë euro më e lartë sesa që do duhej të paguheshin punëtorët, bazuar në vijueshmërinë e punës sipas sistemit elektronik.

Sipas ZKA-së kjo ka ndodhur gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021.

“Ne kemi pjesëtuar numrin e orëve mujore të realizuara me orët ditore (prej 8 orëve) për të përfituar ditët e pranisë në punë. Orët e fituara për praninë në punë e kemi shumëzuar me 2.5 euro për ditë dhe kemi përfituar shujtat të cilat do duhej paguar. Secili punonjës do duhej të kishte 176 orë evidentimi sipas ligjit të punës dhe diferenca me orët faktike të evidentimit shndërruar në ditë paraqet edhe bazën e mbi pagesës së shujtës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Mbi pagesa më e lartë rezulton të jetë bërë në vitin 2021.

Në këtë vit nga 355 mijë euro, në bazë të evidentimit do duhej të paguheshim vetëm 191 mijë euro, pra 164 mijë euro më pak.

Tutje, raporti tregon se zyrtarë në pozita të larta në RTK janë liruar nga evidentimi i sistemit të vijueshmërisë.

“RTK nuk posedon sistem alternativ të matjes së vijueshmërisë së tyre prandaj edhe ne jemi të kufizuar nga mungesa e evidencave për të dhënë një mendim lidhur me pranin/mos pranin e tyre në punë. Kjo gjendje është rezultat i mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e menaxhmentit dhe kjo i ka kushtuar RTK-së pagesë pa dëshmi në vlerë prej 431,399 euro për tre vitet”, thuhet në raport.

Kjo është vetëm një nga të gjeturat e raportit për RTK-në.

Raporti flet për mungesën e vlerësimit të punës, mosrespektimin e rregullores së brendshme, mungesën e planifikimit, kontraktimit dhe menaxhimit.

Sipas auditorit, kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt i ka kushtuar RTK-së keq menaxhim financiar në vlerë prej 806 mijë eurove për tre vjet./Shqip.com