Lajme

Rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian – temë e takimit Gërvalla-Von der Leyen

Takimi midis Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar sot Presidenten e Komisionit Evropian, e cila qëndroi për vizitë në Kosovë, në kuadër të udhëtimit të saj zyrtar gjashtë-ditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, njofton Shqip.com.

Në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja, thuhet se ka gjatë bisedës së Gërvallës me të parën e KE-së, temë qendrore ishte rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian.

“Gjatë bisedës, temë qendrore ishte rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pret në Aeroportin Ndërkombëtar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Më tej thuhet se kryediplomatja e Kosovës njoftoi Von der Leyen lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që ka nxitur reforma të nevojshme për përafrim të vendit me standardet evropiane.

“Ministrja Gërvalla theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane. Po ashtu, ajo e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila ka nxitur reforma të nevojshme që e përafrojnë vendin me standardet e BE-së”, thuhet në njoftim.

Gërvalla dhe Von der Leyen kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e situatës me pandeminë e COVID-19.

Ky takim Von der Leyen dhe Gërvallës u zhvillua pasi kjo e fundit e ka pritur presidenten e KE-së në Aeroportin e Prishtinës. /Shqip.com

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pret në Aeroportin Ndërkombëtar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen