Lajme

Rruga e re Korçë-Ersekë shembet pa u përfunduar, “avullojnë” 72 mln euro për 35 km

Segmenti rrugor Korçë-Ersekë është një nga ato projektet e shumta të qeverisë shqiptare që nuk di të përfundojë. Punimet kanë nisur në vitin 2013, me një segment total prej 35 km. Inaugurimi duhej të ishte bërë vite më parë, por edhe kur ka kaluar më shumë se një dekadë kjo rrugë nuk ka përfunduar.

Dhe për më tepër, segmenti i ri në Qafën e Qarrit ka nisur të shembet. Aty është krijuar një humnerë si pasojë e shembjes së dherave bashkë me trasenë e rrugës.

Shembja është aq e madhe sa poshtë rrugës është krijuar një greminë. Fillimisht pati një çarje e cila u mbush, por ditë më vonë, muri mbrojtës u shemb totalisht.

Megjithëse aksi ishte në funksion për automjet, fatmirësisht në momentin e shembjes nuk ka pasur makina, ç’ka do të rrezikonte seriozisht jetën e tyre.

Çarja e madhe e rrugës ka ndodhur mëngjesin e djeshëm dhe për pasojë ka shkaktuar mbylljen totale të saj.

Automjetet dhe qytetarët që përshkojnë distancën Korçë-Ersekë çdo ditë, duhet të kalojnë nga segmenti i vjetër. Rruga e re shkurtonte me mbi 20 minuta kohën e udhëtimit mes dy qyteteve dhe shmang në një pjesë të terrenin e vështirë.

Segmenti i ri bënte që të mbërrihej në destinacion brenda gjysmë ore. Për rrugën e re Korçë-Ersekë janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 72 mln euro. Por, cilësia e punimeve, siç duket në terren, lë për të dëshiruar.

/Shqip.com