Rrjedhja e informacionit për operacionin e Policisë në Veri – nisin hetimet
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/10/aksioni.png)
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për dyshimet për rrjedhje të informacioneve sa i përket operacionit të Policisë kundër kontrabandës me mallra në veri të vendit, transmeton Shqip.com.
Nga Inspektorati thonë se kanë nisur hetim preliminar lidhur me këto dyshime.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar me dyshimin për zbulim të paautorizuar të informacionit për operacionin policor të datës 13.10.2021, të zhvilluar nga PK-ja në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigje, raporton ‘Koha’.
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/10/Aksioni-i-Policise-ne-Veriun-e-Kosoves.jpg)
Se një hetim i tillë ka nisur e ka bërë të ditur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në konferencën për media të mbajtur pas përfundimit të operacionit.
Ai tha se ishin planifikuar të realizoheshin gjatë ditës 26 kontrolle ne lokacione të ndryshme, në dy raste të quajtur “Rio” e “Mjekrra”, për të cilat tha se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit.
“Kjo është diçka që është duke u hetuar”, kishte theksuar Mehmeti.
Ndërkaq, në raste tjera në lokacione të ndryshme, siç tha ai, Policia e Dogana janë penguar në kryerje të detyrës.
“Operacioni ka filluar gati një vit më parë dhe veprime operacionale ka pasur gjatë gjithë kohës. Operacioni policor ka pasur në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicë së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut”.
“Në të gjitha rajonet e tjera ka kaluar pa problem, përveç në pjesën veriore të Mitrovicës, grupe kriminale në mënyrë të organizuar kanë bllokuara rrugën, kanë hudhur bombola gazi, kanë përdorur mjetet transportuese, kanë shtënë me armë zjarri, kanë hudhur shok-bomba, granata të dorës, me qëlklim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganor e policor që ishin në kryerje të detyrës”, tha Mehmeti.
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/08/Samedin-Mehmeti-1024x576.jpg)
“Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarr veprime policore me mjete të ndryshme dhe të nevojshme ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve policor por edhe qytetarëve që nuk kanë pasur të bëjnë me rastin”.
Madje u bë e ditur se 10 zyrtarë policorë mbetën të lënduar nga ky aksion si pasojë e sulmeve të protestuesve të cilët po bënin rezistencë ndaj këtij aksioni. /Shqip.com