Lajme Botë

Rritet numri i të vdekurve nga përmbytja e varkës në Italinë Jugore

Së paku 59 emigrantë, duke përfshirë 12 fëmijë, kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë ende të pagjetur pasi varka e tyre u fundos në det pranë Italisë jugore.

Trupat u gjetën afër plazhit në një vendpushim bregdetar pranë në rajonin e Kalabrisë.

Në varkë kishte emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Somalia dhe Irani, raporton BBC.

Anija raportohet të jetë fundosur pasi u përplas me shkëmbinjtë gjatë motit të ashpër.

Numri i saktë i njerëzve që ishin në anije, që kishte lundruar nga Turqia disa ditë më parë, nuk është i qartë.

Një i mbijetuar u arrestua me akuza të trafikut të emigrantëve, tha policia doganore.

Ministri i brendshëm Matteo Piantedosi, i cili vizitoi skenën, tha se deri në 30 vetë mund të jenë ende të humbur.

Shumë nga emigrantët po iknin nga kushtet shumë të vështira, tha presidenti i Italisë.

Roja bregdetare tha se 80 vetë qenë gjetur të gjallë, “duke përfshirë disa që arritën të arrijnë bregun pas fundosjes”.

Punëtorët e shpëtimit i thanë agjencisë së lajmeve AFP se anija kishte mbajtur “më shumë se 200 vetë”, që do të thotë më shumë se 60 vetë të pallogaritur.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif përmendi njoftimet se më shumë se dy duzina pakistanezë ishin mes të vdekurve dhe e quajti lajmin “thellësisht shqetësues”. Ai udhëzoi diplomatët e Pakistanit të “përçojnë faktet sa më parë të jetë e mundur”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni – shprehu “dhimbje të thellë” dhe fajësoi trafikantët për vdekjet.

“Është çnjerëzore të shkëmbesh jetët e burrave, grave dhe fëmijëve me çmimin e ‘biletës’ që ata paguan në perspektivën e rreme të një udhëtimi të sigurtë,” tha ajo në një deklaratë.

“Qeveria është e vendosur të parandalojë ikjet dhe me to shpalosjen e këtyre tragjedive dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.”

Papa Françesku, i cili shpesh mbron të drejtat e migrantëve, ka thënë se po lutet për të vdekurit, të zhdukurit dhe ata që mbijetuan.

Sipas grupeve mbikqyrëse, më shumë se 20,000 njerëz kanë vdekur ose kanë humbur në det në Mesdheun qendror që nga viti 2014.

/Shqip.com