Lajme

Rritet numri i pacientëve që po trajtohen nga COVID-19 në spitalet e Kosovës, MSH-ja apelon qytetarët që të vaksinohen

Vaksinimi në Kosovë

Fluksi i rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë nuk ka të ndalur.

Në dy javët e fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i rasteve aktive, nga 110 sa ishin para dy jave tani janë 1244 raste aktive me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i pacientëve të cilët po trajtohen në spitalet e Kosovës ka shkuar në 25 pacient.

“Në dy javët e fundit (20 qershor-5 korrik 2022), si pasojë e regjistrimit të një numri më të lartë të rasteve të reja të COVID-19, janë rritur edhe rastet aktive nga 110 sa ishin më 20 qershor në 1244 më 5 korrik. Rrjedhimisht, kjo ka reflektuar edhe me shtrime të reja të pacientëve në spital të prekur nga COVID-19. Aktualisht, 25 pacientë të infektuar po trajtohen në spitalet e Kosovës nga COVID-19”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Rritjen e numri të hospitalizuarëve në Klinikën Infektive në QKUK e kishte konfirmuar për Shqip.com edhe drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

“Kohëve të fundit kemi rritje për hospitalizim. Dhjetë ditë më parë nuk e kemi pasur asnjë të hospitalizuar ndërsa tani janë tetë të shtrirë”, tha Vishaj.

Kurse, MSH-ja ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19 për të parandaluar infeksione të reja, forma të rënda të sëmundjes nga COVID-19 dhe vdekjet./Shqip.com