Lajme

Rritet interesimi për t’u vaksinuar, rreth 14% e popullatës e imunizuar me dy dozat

Ilustrim

Interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar kundër Coronavirusit në Kosovë është rritur.

Deri më tani janë vaksinuar me dozën e parë 25% e qytetarëve, ndërsa edhe dozën e dytë e kanë marrë rreth 14%.

Me këtë ritëm të vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri në fund të vitit do të arrijnë që ta realizojnë objektivin e tyre për imunizim të 60% të popullatës.

Në një intervistë për KosovaPress, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se autoritetet shtetërore kanë krijuar mundësi të mira për vaksinim.

“Duke qenë që Ministria e Shëndetësisë ka hequr çdo kufizim të moshës për vaksinim të qytetarëve me vaksinën dhe u ka mundësuar të gjithë qytetarëve mbi moshën 18 vjet që të vaksinohen interesimi i vaksinimit kundër COVID-19 është rritur ndjeshëm.

Këtyre ditëve shohim një interesim të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar dhe ajo që është me interes është se shohim se po vaksinohen grupmoshat e reja dhe ky është një sinjal i mirë”, tha ai.

Ai thotë se Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuar, e pasuar nga Obiliqi, Fushë-Kosova, Gjakova e Kamenica.

“Sa i përket përqindjes së vaksinimit, gjinia mashkullore është e vaksinuar me 53%, ndërsa femërore me 47% por këto janë karakteristika që i përgjigjen edhe strukturës gjinore të popullatës së Kosovës, ndërsa sa i përket grupacioneve që më së shumti janë vaksinuar deri më tani natyrisht personat e moshës mbi 65 vjeçare përbëjnë grupaconin e atyre që më së shumti janë vaksinuar, por ditëve të fundit shohim se ka rritje të vaksinimit edhe në grup-moshat më të reja prej 41 deri në 60, dhe gjithashtu ka një rritje të interesimit dhe rritje të numrit të vaksinuarve mbi moshën 18 vjeçare”, theksoi Hoti.

Meqenëse Kosova po shënon rritje të rasteve pozitive me koronavirus, ku kryesisht po dominon infektimi me variantin Delta, lidhur me mundësinë e ashpërsimit të masave, zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti thotë se kjo do varet nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik./SHQIP.com