Lajme Drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë, ka treguar për Shqip.com se ushqimet e shpejta dhe pijet e gazuara janë shkaktarët kryesor të paraqitjes së Helikobakterit

Rriten rastet në vend që kërkojnë trajtim për Helikobaterin në lukth

Kequshqyerja ka bërë që Zana Rugovës t’i paraqitet vlerë e shtuar e Helikobakterit në lukth.

Ajo ishte 23 vjeçare dhe për shkak të dinamikës në punë, detyrohej të ushqehej në orare të ndryshme dhe kryesisht me ‘fast food’.

Qytetarja nga Prishtina për SHQIP.com tregon se pothuajse për një vit ka pranuar trajtim për këtë bakter, që kolonizon mukozën e stomakut duke stimuluar të vjella.

“Nuk kisha shumë kohë dhe ushqehesha kryesit me hamburger, tost dhe pije të gazuara. Ndoshta sot jam ushqyer me hamburger në orën 09:00, kurse nesër në një kohë krejtësisht tjetër. Pothuajse një vit kam marrë trajtime për këtë bakter dhe terapi kryesisht në spitale private duke kryer analiza”, ka treguar Zana.

Ajo tregon se simptomat e para kanë qenë të vjellat dhe dhimbjet e mëdha.

Për këtë, kishte marrë trajtim për katër ditë fillimisht në spital.

 “Kam pasur shumë marramendje dhe të vjella që më kanë bërë shumë keq. Kam shkuar në QKUK dhe kam qëndruar e shtrirë për katër ditë, e më pas jam liruar. Pas analizave më të detajuara më kanë liruar nga spitali”.

Tutje, Zata thotë se vazhdon të mbaj regjim në ushqim.

“Është dashur me i largu ushqimet si qoftet, hamburgerët, kafet e krejt tjerat, e me ngrenë veç ushqime të ziera. Tashmë vazhdoj me pas kujdes pasi kjo mund të përsëritet”.

Vetëm në QKUK u trajtuan 230 pacientë përgjatë katër muajve të parë të këtij viti

Lidhur me këtë bakter, drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë, Fitore Komani, ka treguar se rastet janë në rritje.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 230 pacientë kanë kërkuar trajtim në QKUK.

“Numri është rritur dhe kjo bazohet në situatën ekonomike. Sa më e keqe ekonomia aq ma i madh është ky numër. Rritje ka në gjithë botën. Vendet me varfëri më të madhe qëndrojnë më keq. Vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar ndihmë 230 pacientë dhe kuptohet që ky numër është variabël duke mos harruar edhe punën në spitale regjionale”.

Ajo ka thënë se simptomat varen nga disa faktorë.

E moskujdesi ndikon në përsëritjen e rasteve.

“Shumica e personave që kanë kolonizim të mukozës gastrike me H.pylori nuk zhvillojnë sekuela klinike, ndërkaq se a do zhvillojnë simptoma varet nga disa faktorë siç janë : shtamet e bakteries, ndjeshmëria e nikoqirit , faktoret habitual ( pirja e duhanit, ushqimet e shpejta, marrja e medikamenteve NSAID, pijet e gazuara etj)”.

Helicobacter Pylori

Ky bakter i njohur gjithashtu si H.Pylori, është bakter që zakonisht gjendet në lukth.

Ai është prezent në pothuajse gjysmën e popullatës së botës.

Shumica e njerëzve të infektuar me Helikobakter, nuk kanë simptoma (shenja), dhe nuk shfaqin kurrë probleme.

Megjithatë, H.pilori është i aftë të shkaktojë një sërë problemesh të traktit tretës, përfshirë ulçerën dhe shumë më rrallë kancerin e stomakut./Shqip.com