Lajme

RrGK kërkon që dhunimi i 12-vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë

Ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar që rasti në dhunimin seksual të një 12-vjeçareje në Kamenicë të trajtohet me urgjencë dhe me “ndjeshmëri gjinore, ashtu siç parashihet në Konventën e Stambollit, si dhe të sigurohet trajtimi i duhur psiko-social i viktimës”, përcjell Shqip.com.

Përmes një komunikate, RrGK tha se do ta përcjellin nga afër rastin dhe do të kërkojnë vënien e drejtësisë në vend.

Tutje, RrGK tha se nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si “lajm ditor apo si çështje private”.

Prokuroria Themelore në Gjilan

“Përmes kësaj kumtese, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përkrah kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit për M.J. I cili dyshohet se në tetor të këtij viti ka dhunuar seksualisht një vajzë 12-vjeçare në Kamenicë.

I dyshuari aktualisht gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, kurse, marrë parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e krimit, ne i bëjmë thirrje Gjykatës Themelore të Gjilanit që ky rast të trajtohet në përputhje me Kodin Penal të Kosovës, përkatësisht nenin 227 për veprën ‘dhunim’ “, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lexo edhe:
Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi 12-vjeçaren në Kamenicë

Ndryshe, të mërkurën, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nga Gjykata Themelore në Gjilan, kundër të pandehurit M.J., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.J., gjatë muajit tetor 2021, në komunën e Kamenicës, e ka keqpërdorur seksualisht të miturën e moshës 12 vjeçare.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media./SHQIP.com