Lajme

RrGK kërkon dënim maksimal për vrasjen e gruas në Llaushë të Skënderajt

Rrjeti i Grave të Kosovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal ndaj 51-vjeçarit që dyshohet se vrau gruan e tij 48-vjeçare të mërkurën në Llaushë të Skënderajt, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, RrGK deklaroi se vrasjet e grave janë në rritje, derisa kanë kërkuar nga institucionet që rastet të trajtohen me seriozitet të shtuar nga organet e drejtësisë.

Lexo edhe:
Drejtori i QKMF-së në Skënderaj: Gruaja që u vra nga burri i kishte tri plagë

“Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta.Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit.

Vrasjet e një pas njëshme tregojnë se veprimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë nuk janë duke ndikuar në parandalimin e vrasjeve të grave dhe këto veprime e vendime vetëm sa po i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar drejtësi e për të raportuar rastet e dhunës”, thuhet ndër tjerash në reagimin e RrGK-së.

Ndryshe, të mërkurën Policia njoftoi se një 51-vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij në Llaushë të Skënderajt.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në vend ngjarje është sekuestruar një armë dhe gjashtë fishekë, teksa i dyshuari pas intervistimit është në ndaluar në ndalim policor./SHQIP.com