Lajme Ballkan

Rrëzimi i avionit në Greqi: Pamjet tregojnë një aeroplan mallrash në flakë përpara se të godiste token

Një aeroplan mallrash është rrëzuar pranë qytetit të Kavala në Greqinë veriore, thonë zyrtarët lokalë.

Antonov-12 i operuar nga një kompani me bazë në Ukrainë po fluturonte nga Serbia në Jordani kur u rrëzua të shtunën.

Nuk dihet menjëherë se sa njerëz ishin në bord dhe nëse kishte të mbijetuar, raporton BBC.

Transmetuesi shtetëror ERT i Greqisë raportoi se avioni mbante një ngarkesë prej 12 tonësh, duke e përshkruar atë si potencialisht të rrezikshëm.

Thuhet se piloti kërkoi një ulje emergjente në aeroportin e Kavallës për shkak të një problemi me motorin, por nuk ishte në gjendje të arrinte në pistë.

Disa raporte thonë se tetë persona mund të kenë qenë në bordin e avionit.

Pamjet janë shfaqur që supozohet se tregojnë aeroplanin tashmë në flakë teksa zbriste, i ndjekur nga një shpërthim i madh pasi goditi tokën.

“Në orën 22:45 (19:45 GMT) u befasova nga zhurma e motorit të avionit,” tha për ERT një banor lokal Giorgos Archontopoulos. Dola jashtë dhe pashë motorin në zjarr”.

Sipas disa raporteve të mediave, dëshmitarët okularë dëgjuan gjithashtu shpërthime.

Zyrtarët lokalë thanë se shtatë makina zjarrfikëse ishin vendosur, por ata nuk mundën t’i afroheshin vendit të përplasjes për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme.

“Ne po e trajtojmë ngarkesën si material të rrezikshëm,” citoi Reuters të ketë thënë një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve.

Njësia speciale e reagimit ndaj fatkeqësive të Greqisë po hetonte gjithashtu vendin e ngjarjes, njoftoi Reuters.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment publik nga Ukraina, Serbia apo Jordania./Shqip.com