Rrezik mbyllja e shkollave në Drenas, shkak numri i vogël i nxënësve
Shkolla e mesme e ulët “Rexhep Gjeli”, në fshatin Likoshan të Drenasit rrezikon të mbyllet.
Për çdo vit numri i nxënësve po ulet, e aktualisht ka vetëm 63 nxënës.
Drejtori i shkollës, Bujar Tahiri ka thënë për Shqip.com se ka ulje të numrit të nxënësve edhe për klasën e parë.
“Në ketë vit shkollor, pra në vitin shkollor 2022/2023 në shkollën tone aktualisht janë të regjistruar gjithsej 63 nxënës, te cilët e zhvillojnë mësimin nga klasa e parashkollor deri tek klasa e nëntë”, tha Tahiri.
Sipas Tahirit numri i nxënësve të pranuar këtë vit është përgjysmë më i vogël se para pesë vjetësh.
“Gjatë viti shkollor 2018-19 numri nxënëseve të regjistruar në klasën e parë është 13 nxënës. Ndërsa, gjatë viti shkollor 2022-23 numri nxënëseve të regjistruar në klasën e parë është 6 nxënës”.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka, tha se krahas shkollës në Likoshan, mbylljen rrezikojnë edhe shkollat në fshatin Polluzhë dhe Gradicë.
“Shkollat që kanë numër të vogël të nxënësve dhe rrezikojnë që të mbyllen janë; SH.F.M.U “Rexhep Gjeli” në Likoshan, SH.F.M.U “Shaban Polluzha” në Polluzhë, dhe SH.F.M.U “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë”, tha Gjoka për Shqip.com.
Emigrimi shkaktari kryesor i mbylljes së shkollave
Emigrimi po shihet si faktori kryesor që shkollat po mbesin pa nxënës.
Por, krahas emigrimit si faktori kryesues, Tahiri tha se edhe lindshmëria e ulët po ndikon në situatë.
“Numri i nxënësve i cili është në rënie në të gjitha shkollat në vendet rurale mendoj se janë dy shkaqe, e para është ndryshimi i adresës së vendbanimit nga fshati në drejtim të qytetit por edhe emigrimi jashtë Kosovës si dhe e dyta lindshmëria”.
Lidhur me këtë çështje, të njëjtin mendim ka edhe Gjoka.
“Çdo vit ka rënie të nxënësve dhe për këtë faktor kryesor është nataliteti, emigrimi, lëvizjet e brendshme të popullsisë etj”.
Sipas Tahirit, nëse vazhdon që të bije numri i nxënësve, shkolla që ai drejton ka mundësi që të mbetet jashtë funksionit.
“Nëse vazhdon të jetë ky numër i nxënësve nuk besoj se rrezikon të jetë jashtë funksionit shkolla, por nëse vazhdon te bie ky numër atëherë mund të ndodhë që kjo shkollë të jetë jashtë funksionit”.
Njohësi i çështjeve të arsimit nga Instituti Ed Guard, Rinor Qehaja ka thënë për Shqip.com se krahas mungesës së nxënësve në fshatra, problem është edhe densiteti i nxënësve në shkollat urbane.
“Shkollat me numër të madh të nxënësve vazhdojnë të jenë problematike në zonat urbane me densitet të madh, por në të njëjtën kohë, në ekstremin tjetër, shkollat me numër të vogël të nxënësve janë problem po kaq serioz në zonat rurale”, tha Qehaja.
Sipas njohësit të arsimit në Kosovë, për këtë duhet të bëhet ristrukturim i shkollave nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Ristrukturimi i shkollave duhet të ndodh në nivel vendi dhe atë e iniciuar si reformë nga MASHTI. Ristrukturimi kërkon analizë të fizibiltietit dhe debat të gjerë me të gjithë akterët, në veçanti përfshirjen e komunitetin të shkollave. Rritja e cilësisë kërkon ndryshime rrënjësore në sistem, në mesin e tyre padyshim që është edhe raporti nxënës/ mësimdhënës”.
Shqip.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit lidhur me mbylljen e shkollave në nivel vendi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
/Shqip.com