Lajme

Rrezarta Pllana, emërohet koordinatore për funksionalizimin e Fondit Sovran

Sot është mbajtur takimi i Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran.

Në këtë takim, Rrezarta Pllana është emëruar koordinatore përgjegjëse për funksionalizimin e Fondit Sovran.

Po ashtu, është diskutuar edhe pë hapat që duhet të ndërmirren për funksionalizimin e këtij fondi.

Kjo është bërë nga Qeveria e Kosovës përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare.

“U diskutua për funksionalizimin e grupit punues që do jetë përgjegjës për hartimin e projektligjit për Fondin Sovran. Nisur nga propozimi që derivon nga Koncept Dokumenti i miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, u miratua vendimi për emërimin e Rrezarta Pllana, Koordinatore për funksionalizimin e Fondit Sovran”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Koordinatorja do të jetë përgjegjëse për strukturimin e ndërmarrjeve publike, si dhe propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve, që do bëhen pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Fondin Sovran.

Po ashtu në këtë takim morën pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Ky është takimi i tretë i mbajtur radhazi i këtij komisioni./Shqip.com