Ekonomi

Rreth tre mijë inspektime gjatë vitit 2022, ankesat e konsumatorëve nga më të ndryshmet

Vetëm gjatë vitit 2022, Inspektorati i Tregut ka realizuar 2.830 inspektime të operatorët ekonomik në sektorin privat.

Përmes një komunikate për media nga Inspektorati i Tregut, thuhet se 1.453 janë realizuar për kontrollin e tregut të naftës, kurse pjesa tjetër për sigurinë e produkteve dhe mbikëqyrjes së përgjithshme të tregut.

“Inspektorati i Tregut i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjatë vitit 2022 ka realizuar 2,830 inspektime te Operatorët Ekonomik në sektorin privat të cilët operojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, nga të cilat 1,453 janë realizuar nga inspektorët për kontrollin e tregut të naftës, 732 janë realizuar nga inspektorët për sigurinë e produkteve ndërsa 663 janë realizuar nga inspektorët e mbikëqyrjes së përgjithshme të tregut”, thuhet në komunikatën e tyre.

Numri i ankesave të cilat kanë arritur në Inspektoratin e Tregut nga konsumatorët kanë qenë të mdhaja. 74 për qind prej tyre janë konsideruar të bazuara.

“Nga numri i ankesave te trajtuara, ka rezultuar se në 74% të rasteve ato janë konsideruar të bazuara dhe janë zgjidhur në favor të konsumatorëve. Në 23% të rasteve pas trajtimit nga inspektorët ka rezultuar se ankesat ishin të pabazuara. Ndërsa në 3% ankesat janë refuzuar pasi që nuk ishin të kompletuara me dokumentacion të nevojshëm, dhe të njëjtat janë konsideruar si informata të vlefshme për Inspektoratin”.

Ankesat e konsumatorëve kanë qenë nga më të ndryshmet.

“Ankesat e konsumatorëve kryesisht ishin për mos përputhje të çmimeve raft – arkë, për mos respektim të garancioneve, mungesës së etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit , për zbritje mashtruese të çmimeve, për mashtrimet gjatë blerjeve online, peshën e bukës etj. Ankesa kemi pranuar edhe lidhur me mungesën e etiketës e cila tregon flamurin e origjinës së produktit dhe me këtë rast janë realizuar inspektime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Inspektimet  janë duke vazhduar çdo ditë në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunale, e sidomos numri  i inspektimeve është  rritur tani kur jemi në prag të festave të fund vitit”.

Gjatë mandatit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë bërë më shumë se pesë mijë inspektime.

/Shqip.com