Lajme Ballkan

“Rreth gjashtë mijë adresa të shqiptarëve janë pasivizuar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi

Rreth gjashtë mijë adresa të shqiptarëve janë pasivizuar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, veprim i cili konsiderohet diskriminues dhe anti-kushtetues nga Qeveria e Beogradit, përcjell Shqip.com.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, deklaroi se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë strategji për trajtim të çështjes së banorëve të Luginës së Preshevës.

Sipas tij, këto tri komuna me shumicë shqiptare janë më të varfërat në Serbi dhe janë vendet më së paku të zhvilluara.

“Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare dhe disa intelektualëve janë diku rreth gjashtë mijë adresa të shqiptarëve që janë pasivizuar gjatë tërë këtyre viteve. E aq më tepër që ka goditur Komunën e Medvegjës ku janë edhe më pak shqiptarë atje. Pasivizimi i adresave vjen si pasojë e adresimit të çështjes së Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zvogëlimi numerik i shqiptarëve në Medvegjë, e posaçërisht në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës vjen si pasojë e nevojës për t’u zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës. Në këtë mënyrë tentohet të krijohet një lloj simetrie me serbët në Kosovë”, deklaroi ai për KP.

Ndërkaq, problemi i pasivizimit të adresave në tri komunat është përmendur edhe në dy raportet e progresit për Serbinë.

Kryetari i KKSh-së, thotë se në komunikimet me Qeverinë e Kosovës janë përcaktuar që ka nevojë për investime ekonomike në Medvegjë, investimie për shkollim në Bujanoc dhe qasjes mediale në Preshevë.

Po ashtu, ai thotë se përkundër marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, Serbia nuk i njeh diplomat e Kosovës – gjë që shton se vështirëson shumë jetën e shqiptarëve të Luginës që vijojnë shkollimin në Prishtinë.

“Sot diplomat nga Universitetet e Kosovës janë totalisht të panjohura për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe janë hasur në probleme dhe nuk mund të nostrifikohen (njihen) edhe diplomat nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Unë konsideroj që kjo është shkelje flagrante e të drejtave më fondamentale të njeriut, për shkak se Republika e Serbisë nuk mund të arsyetojë se nuk po ja njoh qytetarëve të vet diplomat me arsyetimin se në Kosovë nuk është duke u njohur Universiteti i Prishtinës. Me arsyetimin se Kosova nuk njeh një universitet në Mitrovicën e Veriut, nuk ja njeh qytetarëve të vet diplomat”, përfundon ai./SHQIP.com