Kulturë

Rreth 1,8 milionë euro investime në trashëgimi kulturore në Prizren

Mbi 1,2 milionë euro është vlera e buxhetit që është duke u investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Kurse, siç ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit rreth 490 mijë euro të tjera përfshihen në buxhetin e projekteve që do të nisin të zbatohen gjatë këtij viti në qytetin e Prizrenit.

Sipas njoftimit të MKRS-së, aktualisht në Prizren po zhvillohen ndërhyrje emergjente në gjashtë asete, ndërsa në kuadër të projektit të Revitalizimit të rrugës Marin Barleti po realizohen punime restauruese në dy shtëpi.

“Po restaurohen gjashtë shtëpi tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshi kompleksin e banimit të familjes Dorambari, shtëpinë e familjes Bardhi, shtëpinë e familjes Sokoli, shtëpinë e familjes Kabashi, si dhe është në përfundim restaurimi i kinemasë së vjetër të qytetit. Ndërsa kanë nisur ndërhyrjet restauruese edhe në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sa i përket programit të muzeve, rregullimi i enterierit dhe ekspozitës në Muzeun Arkeologjik ka përfunduar, ndërsa në proces të hartimit është koncepti i ekspozitës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit./Shqip.com