Lajme Ballkan

Rreth 100 turistë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Budva

96 turistë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i një restoranti në Budva të Malit të Zi.

Në mesin e të helmuarve, raportohet të ketë pasur edhe fëmijë.

Turistët janë kryesisht me prejardhje nga Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, dhe pothuajse të gjithë kanë qenë klientë të këtij restoranti.

Pas shfaqjes së probleme shëndetësore me simptoma të helmimit, ata janë shtruar për ndihmë mjekësore në spitalet e Kotorrit, Tivarit dhe Cetinjes, transmeton portali malazez Dan.

Komuna e Budvës ka konfirmuar se ka pasur helmim nga ushqimi pasi klientët e një lokali janë paraqitur në institucionet mjekësore për shkak të problemeve me stomakun.

Kryetari i Komunës së Budvës, Milo Bozhoviq, dhe administrata komunale kanë bërë të ditur se do të jenë në dispozicion të turistëve që kanë pasur probleme shëndetësore dhe nëse është e nevojshme do t’u sigurojnë akomodim, transport dhe gjithçka tjetër.

“Mbrëmë rreth orës 22, në spitalin e Kotorrit kemi pranuar 30 persona, shumë prej të cilëve fëmijë të moshës 15-16 vjeç. Ata janë sjellë me një sindromë akute – të vjella. Të gjithë u kujdesën shpejt dhe mëngjesin e sotëm u bënë sërish analizat laboratorike. Pas kësaj, rreth orës 11 të mëngjesit të sotëm, ata janë lëshuar për mjekim shtëpiak” ka thënë për portalin Dana, drejtori i spitalit të Kotorrit, dr. Davor Kumburoviq.

Bëhet e ditur se asnjëri nga të helmuarit nuk është në rrezik për jetën./Shqip.com