Sport Shqiptar

Rrëfimi i Valdet Ramës – shqiptarit të parë që shënoi gol në La Liga

Valdet Rama

Dani Alves, Diego Godin, Sergio Ramos, janë vetëm disa nga mbrojtësit me të cilët është përballur ai, teksa është shqiptari i parë që ka shënuar gol në La Liga.

Valdet Rama, në një intervistë për Shqip.com, si asnjëherë më parë ka rrefyer momente nga e kaluara, gjendjen momentale si dhe planet për të ardhmen.

Fillimisht, me nostalgji rrëfeu për kohën kur luante te Real Valladolid në La Ligën spanjolle, që për të ishte zeniti i karrierës.

Valdet Rama - Alchetron, The Free Social Encyclopedia
Valdet Rama – kundër Atletico Madrid

“E ndjej veten krenar që kam luajtur në La Liga, pasi është një nga ligat më të mira në botë. Ndërsa, të jem shqiptari i parë që ka shënuar gol aty, është një knaqësi e cila do zgjasë përgjithmonë”, përshkruan sulmuesi.

“Aty e pata fatin që të përballem me futbollistë si Cristiano Ronaldo, Leo Messi, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta, gjë për të cilën jam krenar”, shprehet ai.

33 vjeçari tregon edhe kundërshtarin më të vështirë më të cilin është përballur në karrierë.

“Mbrojtësi më i vështirë me të cilin jam përballur ka qenë Dani Alves. Ai ishte një futbollist i shpejtë, i mençur në lojën e tij, si dhe çdoherë aktiv si në repartin ofaniziv ashtu edhe në defanziv”, shtoi Rama.

Valdet Rama se encuentra sin equipo - Pucela Fichajes
Valdet Rama dhe Dani Alves. Credits: La Liga

Për shkak se pas “aventurës” në Spanjë, ai ka luajtur edhe në Gjermani, sulmuesi shqiptar e bëri krahasimin mes këtyre dy ligave.

“Në Spanjë, besoj se niveli i futbollit është më i lartë, atje luhet një futboll më i bukur dhe teknik ndërsa në Gjermani dominon ana fizike”, beson Rama.

Karriera e tij e pasur dhe talenti i madh ia kishin siguruar ftesën në kombëtaren shqiptare, kohë të cilën flet e kujton me mall.

“Momenti më i mirë në kombëtare ka qenë debutimi im dhe goli i parë kundër Norvegjisë. Ka qenë nder dhe knaqësi që të luaj për kombëtare. Do jenë përgjithmonë kujtime të bukura”, kujton Valdeti.

Valdet Rama - Spielerprofil - DFB Datencenter
Valdet Rama – sa ishte pjese e Kombëtares Shqiptare

Ndërsa, tregoi që i shikon ende rregullisht kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën dhe të dyja kanë kualitete të mëdha.

Aktualisht, Valdet Rama është pjesë e Sv Meppen, ekip që garon në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, ku po kalon momente të mira individuale.

Ai tha se “tani jam duke e ndjerë veten shumë mirë. Në fillim të sezonit kisha pësuar lëndim në gju dhe u bëra operacion, por tashmë jam fit dhe nuk kam probleme”.

Ndërsa, për fund foli edhe për të ardhmen, ku nuk e përjashtoi mundësinë që ta mbyllë karrierën në Shqipëri ose Kosovë.

“Është në mendimet e mia që ndoshta ta përfundoj karrierën në Kosovë ose Shqipëri. Tani më mbaron kontrata me SV Meppen dhe të shohim se çka do të ndodhë”, u shpreh për fund Rama. /Shqip.com

Goli i Valdet Ramës ndaj Atletic Bilbao-s