Sport Ndërkombëtar

Rrahmani u kërkon falje tifozëve

Sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani është shprehur i zhgënjyer pas humbjes, të cilën Ballkani e pësoi në “Fadil Vokrri” nga skuadra turke Sivasspor, me rezultat 1:2.

Ndeshja ishte e vlefshme për rrethin e katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

“Dua t’u kërkoj falje tifozëve, sepse kjo humbje është shumë zhgënjyese. Mund ta fitonim ndeshjen, sepse patëm raste të mira”, është shprehur Rrahmani.

Kampioni i Kosovës e nisi shumë mirë ndeshjen dhe pjesën e parë e mbylli me epërsi prej 1:0, me golin e shënuar nga kapiteni Armend Thaqi në minutën e 36-të.

Fillimisht, Hakan Arslan i barazoi shifrat në 1:1, në minutën e 72-të, e më pas Karol Angielski (81’) shënoi për shifrat 1:2, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar.

Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Sivasspor e Cluj kryesojnë në Grupin G me nga 7 pikë, ndërsa Slavia Prague e Ballkani i kanë nga katër pikë.

Në ndeshjen e rrethit të pestë, më 27 tetor, Ballkani e pret skuadrën çeke, Slavia Prague.

/Shqip.com