Sport Shqiptar

Rrahmani shpallet “Ylli i Javës” së 19-të në Superligën e Kosovës

Me fillimin e stinorit pranverore vazhdon edhe ndarja e çmimit “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, raporton FFK, shkruan Shqip.com.

Ky çmim për javën e 19-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të Ballkanit, Albion Rrahmani.

Sulmuesi i portokallezinjve ka qenë protagonist i kësaj jave, ngase shënoi tre gola në fitoren që skuadra e tij e realizoi si mysafire kundër Malishevës (4:2).

Pas marrjes së këtij çmimi, Albion Rrahmani u shpreh i lumtur dhe premtoi se do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në të ardhmen.

“Për mua është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Të shpërblehesh si më i miri i xhiros është një motiv shtesë për të vazhduar punën dhe për të synuar ende më shumë. Gjithsesi ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik për çka i falënderoj shumë”, ka theksuar Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai tutje ka folur edhe për objektivat e portokallezinjve në këtë edicion. “Ballkanin këtë edicion e shoh sërish kampion të Kosovës. Rruga për ta mbrojtur titullin nuk do të jetë e lehtë por ne do të punojmë maksimalisht dhe do t’i marrim ndeshjet radhazi. Besoj që me këtë grup të lojtarëve, me përkushtimin e shtabit teknik dhe organizimin e mirë të klubit, do ta përsërisimin suksesin e vitit të kaluar”, ka shtuar ai.

/Shqip.com