Sport Ndërkombëtar

Roma shkarkon Mourinhon

Drejtuesit e Romës kanë marrë vendim për shkarkimin e trajnerit të famshëm portugez, Jose Mourinho. Portugezi është shkarkuar me komplet stafin e tij profesional.

Ata do të largohen menjëherë nga klubi, derisa verdhekuqtë do të kërkojnë një zgjidhje të re për të ardhmen.

Roma në periudhën e fundit ishte në krizë të rezultateve. Ajo së fundmi ka shënuar vetëm një fitore në kampionat, derisa ka humbur tri ndeshje dhe një barazim.

Humbja nga Milani duket se ishte ‘kapaku’ për drejtuesit e Romës, të cilët vendosën përfundimisht t’i ndajnë rrugët me Mourinhon.

Roma njofton se Jose Mourinho dhe stafi i tij po largohen nga klubi me efekt të menjëhershëm. Së shpejti do të njoftojmë për liderin e ri të ekipit të parë”, thuhet në njoftimin e klubit nga kryeqyteti italian.

Mourinho mori drejtimin e Romës në korrik të vitit 2021 dhe menjëherë në edicionin e parë i solli trofeun e parë evropian pas një pauze të gjatë, duke fituar Ligën e Konferencës. Në sezonin e dytë me “ujqërit” ai arriti në finalen e Ligës së Evropës, ku humbi nga Sevilla.

Në total, Mourinho drejtoi Romën në 138 ndeshje zyrtare, duke shënuar 68 fitore, 30 barazime dhe 40 humbje.

/Shqip.com